Vajzë e vetme, studentja 23-vjeçare që u vetëflijua që të mos u binte më në qafë prindërve të varfër

Një ngjarje tragjike që tronditi një Shqipëri të tërë ndodhi në vona të së enjtes në qytetin e Rrëshenit.

Adela Gjoka, ishte studentja e cila u vetëhodh nga kati i 11-të i pallatit ku banonte dhe i dha fund jetës së saj. Ajo ishte studente në vitin e fundit në fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Tiranë.

Sipas atyre që raportohen, e reja ka qenë e vetme me gjyshin e saj në banesë kur ka vendosur t’i japë fund jetës. Britmat e saj u dëgjuan kudo në momentin kur ajo ndërmori aktin e vetëflijimit dhe u gjet e gjakosur në tokë nga banorët e zonës.

Gjoka mësohet se ka hyrë në tualet, ka kyçur derën me çelës dhe pasi ka vënë shallin në sy është vetëhedhur nga dritarja.

23-vjeçarja kishte 2 provime të mbartura larg pragut të diplomimit dhe kjo gjë e kishte shqetësuar atë tej mase, ka deklaruar babai i saj në polici.

Për këtë shkak, e stresuar nga ky fakt, ajo nuk kishte konsumuar as ushqim gjatë 4 ditëve të fundit. Të shqetësuar, prindërit e dërguan në spital për mjekim, por ajo ka refuzuar të merrte serum dhe u rikthyen në banesë.

Sapo prindërit e saj dolën nga shtëpia, 23-vjeçarja i ka dhënë fund jetës.

E reja njihej si vajzë e qetë dhe motivi që e shtyu të kryente këtë akt ishte se familja e saj ndodhej në gjendje të vështirë ekonomike dhe ajo nuk ka mundur ta përballojë dot presionin e madh psikologjik që i është krijuar nga ideja se prindërit sakrifikonin deri në ekstrem për të bijën e vetme në mënyrë që ajo të shkollohej.